Panairi Financiar 2013 i cili do të mbahet me datë 25 dhe 26 shtator 2013 në  Swiss Diamond Hotel Prishtina, paraqet një ndër evinimentet më të rëndësishme në sektorin financiar dhe organizohet me qëllim që të mbledhë ekspozues për të promovuar biznesin e tyre. Panairi Financiar i’u mundëson bankave, institucioneve financiare dhe kompanive tjera që të prezantojnë produktet e tyre dhe të komunikojnë me klientë, media dhe vendimmarrrës të ndryshëm.

Përveç ekspozimit të kompanive pjesëmarrëse, do të organizohen edhe dy konferenca dhe një forum. Titujt e dy konferencave janë: “Polikat e nevojshme për të reduktuar riskun në sektorin financiar” dhe “Horizont i ri – zgjedhja e një modeli për financimin e banimit në Kosovë”, ndërsa titulli i forumit do të jetë:  “Sfidat aktuale dhe mundësitë e ardhshme në industrinë e sigurimeve”. Risi e këtij panairi do të jenë punëtoritë me studentë të cilat organizohen për here të parë në histori të Panairit Financiar.

Për më tepër, kjo ngjarje do të sjellë në një vend akterët dhe vendimmarrësit kryesorë në sektorin financiar për diskutime të ndryshme.

Më poshtë mund të gjeni një përshkrim të shkurtër të konferencave dhe forumit:

 

Konferenca e parë:  Politikat e nevojshme për të reduktuar riskun në sektorin financiar

Tashmë 13 vite sektori bankar kontribuon fuqishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës por njëkohësisht përballet me sfida të ndryshme të cilat jo rrallë herë i pamundësojnë zhvillim edhe më të hovshëm të këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Këto sfida, përveç tjerash, ndërlidhen edhe me funksionimin e sistemit të drejtësisë, paqartësitë pronësore dhe aspekte tjera ligjore, administrative dhe rregullative.  Qartësimi dhe forcimi i këtyre temave me anë të politikave adekuate do të ndihmonte dhe lehtësonte punën e ndërmjetësve financiar. Duke i pasur këto sfida parasysh dhe duke ditur që tanimë Kosova po hyn në një etapë tjetër të zhvillimit, domosdoshmëria e politikave të cilat ofrojnë një ambient të sigurt, efikas dhe në harmoni me nevojat e sistemit bankar bëhen më se evidente, rrjedhimisht edhe të  paevitueshme.  Këto politika do të ndihmonin sektorin financiar, do të stimulonin zgjerim të shërbimeve bankare dhe do të krijonin një mjedisë për  konkurrencë më dinamike. Konferenca në fjalë,  trajton politikat që janë të domosdoshme për të reduktuar  riskun në dhe për sektorin financiar.  Politika këto që si pasojë do sjellin tek konkurueshmeria më e madhe e sektorit bankar, ofertë më të mirë për klientët e që do të reflektonte edhe në një zhvillim më të hovshëm dhe më të qëndrueshëm të sektorit privat në Kosovë.

Konferenca e Dytë: Horizont i ri – Zgjedhja e një modeli për financimin e banimit në Kosovë

Për krijimin e mirëqenjes dhe stabilitetit financiarë,  qytetarët e Kosovës kanë nevojë që të kenë mundësi për financimin e banimit në atë mënyrë që i mundëson atyre të përballojnë obligimet e financimit të pronës. Tanimë është e qartë që zhvillimi i mëtutjeshëm i industrisë ndërtimore është drejpërdrejtë i lidhur me aftësinë e klientëve për të investuar në patundshmëri me kushte të përshtatshme të financimit.  Kjo aftësi, edhe pse është trajtuar në forma të ndryshme e në raste edhe kreative nga sektori bankar, nuk ka përmbushur nevojat e klientëve dhe kërkesën e cila duket se ekziston në treg.  Pra, nevoja për një horizont të ri të mendimit për financim të banimit është tashmë evidente si nga ana e sektorit bankar ashtu edhe nga aspekti rregullativ. Në këtë sfond dhe duke pasur parasysh edhe potencialin për zhvillimin e mëtutjeshëm të dy sektorëve, atij të ndërtimit dhe atij të bankave, zgjedhja e një modeli për financimin e banimit në Kosovë është temë e paevitueshme.  Për më shumë kjo temë është e domosdoshme pasi që panairi financiar i sjellë të gjitha palët në një konferencë dhe rrjedhimisht edhe krijon hapësirën e duhur për të nxitur një diskutim më të gjerë përmes së cilit do të mund të sugjerohej modeli më adekuat për financim të banimit në Kosovë.

Forumi: Sfidat aktuale dhe mundësitë e ardhshme në industrinë e sigurimeve

Industria e sigurimeve në Kosovë me të gjitha vështirësitë e ndërlidhura me statusin juridik dhe politik të shtetit të Kosovës, ka arritur për këto 13 vite të ndërtoj një ambient i cili duhet çmuar.  Këto vështirësi për më shumë nuk kanë qenë të ndërlidhura vetëm me trajtimin e vendit tonë në sfondin ndërkombëtar por edhe me kërkesë të limituar për sigurime, përjashto këtu ato që janë të domosdoshme me ligj. Forumi në fjalë do të sjellë si rrallë herë më parë gjithë akterët dhe njohësit e këtij sektori për të trajtuar rrugën e cila e pret ketë industri, si dhe potencialin për zhvillim në të ardhmen. Duke pasur parasysh këtë historik, por edhe konsolidimin e industrisë e cila ka ndodhur 4 vitet e fundit, trajtimi i sfidave aktuale dhe mundësive për industrinë e sigurimeve është temë e cila në ambientet e Panairit Financiar 2013 do të trajtohet për të vënë në lëvizje mekanizmat e duhur që do të mundë të hapnin rrugën drejt një zhvillimi më të hovshëm të kësaj industrie.

Për më  shumë informata, mund të  shkarkoni agjendën: Ftesa (Shqip)

 

Sponzor Patron

Sponzor i Artë

  

 

Sponzor i Argjendtë

       

Sponzor Medial

  

Sponzor i ujit