Qendra e Trajnimeve e Shoqatës së Bankave është themeluar në vitin 2005 dhe ka luajtur rol aktiv në procesin e zhvillimit të sektorit bankar.

Roli i trajnimeve në SHBK është që të plotësojë nevojat e sektorit në edukim bankar duke ofruar trajnime për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të fitojnë njohuri në fushën e bankave dhe të financave.

Sot, duke iu falënderuar anëtarëve për interesimin në trajnimet tona, Qendra për Trajnime bankare mban rregullisht trajnime të thurura sipas nevojave të bankave anëtare dhe nevojave të industrisë financiare në përgjithësi. Qendra e Trajnimeve Bankare sot është pjesë e rëndësishme e infrastrukturës e cila ndihmon zhvillimin e sistemit modern të shërbimeve financiare dhe është bërë burimi kryesor i trajnimit praktik dhe teorik për bankierët në Kosovë.

Trajnimi i stafit, përveç se përmirëson performancën, gjithashtu është edhe një ndër motivuesit kryesor të stafit, pasi që iu mundëson individëve të përparojnë dhe të zhvillohen profesionalisht dhe kështu të ngrisin nivelin e tyre profesional. Kurset e trajnimit variojnë nga ato me programe të avancuara ashtu që të përmbushin nevojat specifike të punëtorëve me përvojë në banka, deri tek niveli fillestar i cili ofron njohuri të përgjithshme dhe bazike.

Shoqata e Bankave të Kosovës aktualisht bashkëpunon me disa institucione vendore dhe të huaja për sa i përket fushës së trajnimeve. Ndër to veçohen Banka Botërore, Banka Qendrore e Kosovës, Agencioni për Transfer të Teknologjisë Financiare (Agence de Transfert de Technologie Financiere – ATTF) në Luksemburg. Gjithashtu, ShBK është anëtare e akredituar nga Rrjeti Evropian për Trajnime Bankare (European Bank Training Network – EBTN) me seli në Bruksel, për të zbatuar certifikimin e kandidatëve në Programin e Certifikimit EFCB.

Trajnimet mbahen nga ekspertë të vendit dhe ndërkombëtarë me përvojë në fushën bankare dhe në universitete, duke inkorporuar kështu përvojën dhe njohuritë e vendit me përvojën dhe praktikat e vendeve të zhvilluara.