Në Kosovë sot operojnë 9 (nëntë) banka komerciale dhe përbëjnë 72.6 përqind të aseteve totale të sektorit financiar. Produktet dhe shërbimet e tyre përfshijnë llogaritë bankare, kreditë, pagesa vendore dhe ndërkombëtare, kartela bankare, garancione bankare, letër kredi, e-banking. Qasja në shërbimet e këtyre bankave mundësohet përmes aktualisht 305 degëve dhe nëndegëve,  493 ATM-ve dhe  9,039 POS dhe 113,171 llogarive e-banking.

Aktiviteti  i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë. Nga totali i kredive, 67.7 përqind janë kredi për ndërmarrjet. Pjesa më e madhe e këtyre kredive absorbohet nga ndërmarrjet e sektorit të tregtisë (53.2 përqind e kredive të ndërmarrjeve), përderisa sektori i industrisë (përfshirë minierat, prodhimtarinë, energjinë dhe ndërtimtarinë) ka 23.8 përqind të gjithsej kredive të ndërmarrjeve. Sektori i bujqësisë aktualisht përbën 3.9 përqind të gjithsej kredive për ndërmarrje. Pjesëmarrja e kredive për ekonomitë familjare është 30.8 përqind të gjithsej kredive.

Struktura e detyrimeve të sektorit bankar dominohet nga depozitat, të cilat përfaqësojnë 79 përqind të gjithsej detyrimeve. Depozitat e sektorit bankar kanë shënuar rritje vjetore prej 4.4 përqind, duke arritur vlerën prej 2.20 miliard euro. Depozitat e sektorit bankar në Kosovë përbëhen nga depozitat e ekonomive familjare me një pjesëmarrje prej rreth 74.8 përqind të depozitave të gjithëmbarshme, përderisa depozitat e ndërmarrjeve private përbëjnë 17.5 përqind. Depozitat e ndërmarrjeve publike përfaqësojnë 2.9 përqind të depozitave të gjithëmbarshme të sektorit bankar.

Bankat komerciale në Kosovë kanë strukturë të ndryshme aksionare. Shtatë prej tyre janë banka me kapital të huaj dhe dy me kapital vendor.

Numri i të punësuarve në bankat komerciale është rreth 3,638.

Disa nga të dhënat në këtë faqe merren  nga publikimet e rregullta të Bankës Qendrore të Kosovës. Për detaje shih linkun për publikime të BQK-së.