Lajme

Shoqata e Bankave të Kosovës mban takim diskutues në lidhje me hulumtimin mbi përpilimin e standardeve të tregut të pasurive të paluajtshme
03.04.2023

Shoqata e Bankave të Kosovës mban takim diskutues në lidhje me hulumtimin mbi përpilimin e standardeve të tregut të pasurive të paluajtshme

Shoqata e Bankave të Kosovës me mbështetjen e bankave komerciale, në kuadër të Komitetit të riskut me qëllim të përpilimit të standardeve  të tregut të pasurive të paluajtshme, për territorin e Kosovës ka bashkëpunuar me Institutin për Ekonominë e tregut të lirë (IETL) të përpilojnë një hulumtim në lidhje me pasuritë  e paluajtshme. Qëllimi i hulumtimit është rishikimi periodik i vlerës së pasurive të paluajtshme të hipotekuara nga  bankat, si dhe të shërbejë si dokument orientues për bankat në të ardhmen, gjatë procesit të selektimit dhe sigurimit të ekspozimeve kreditore me pasuri të paluajtshme.


Në takim ishin prezent përfaqësues nga Shoqata e Bankave të Kosovës  dhe Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë. Kryeshefi Ekzekutiv I SHBK-së, z.Petrit Balija njoftoi të pranishmit se qëllimi i takimit ka për synim ,prezantimin e raportit, vlerësimin nga të pranishmit mbi procesin dhe rezultatet  nga ky studim si dhe përmbylljen e projektit. Përfaqësuesit nga IETL prezantuan rezultatet e studimit dhe ndër të tjerash cekën se analiza ofron një përshkrim të shkurtë dhe konciz në lidhje me gjendjen  demografike dhe ekonomike në nivel vendi, me theks në zhvillimet e ndërlidhura me tregun e pasurive të paluajtshme. Për më shumë, analiza ofron informacion në lidhje me impaktin e tregut të pasurive të paluajtshme në aspektin makroekonomik të Kosovës.

Sektori bankar vlerësoi se raporti final i përmbushë kërkesat të cilat do të shërbejnë si mekanizëm për monitorimin e lëvizjeve të çmimeve të patundshmërive dhe si mjet për vlerësimet e bankave individuale, duke vlerësuar bashkëpunimin me IETL pozitivisht si proces dhe si studim në aspekt të kualitetit të të dhënave.